Dialogu 2

d2utube

 

Gjatë Dialogut 2 u diskutua rreth rezultateve të Dialogut 1, në lidhje me ligjin 65, me koordinatorin e Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile, së bashku me një propozim për forma të mundshme që afrojnë më tepër me punën e sipërmarrësve socialë, përmes aktiviteteve performuese dhe ekspozitave.

 

 

 

18 prill 2017

 | Arti i Procesit | # Dialogu 2 |

 Valentina Bonizzi                                                                                          

Mirë se vini në Dialogun 2!

A ka dikush ndonjë pyetje se përse jemi këtu? Një hyrje e vogël dhe mund të fillojmë. Çështja është të kemi dialog mes jush dhe Ministrisë së Mirëqenies e Rinisë. Do të doja të fillonim me prezantimin tuaj dhe më pas mund të vazhdojmë bisedën.

*

Anëtare e Këshillit Social të Shoqërisë Civile. Fillimisht, mendoj, përpara se të nisim dialogun duhet të kemi një agjendë për të biseduar rreth ligjit.

Valentina Bonizzi                                                                                                           

Agjenda ka të bëjë me sipërmarrësit socialë që ishin këtu herën e kaluar, për të shprehur paqartësitë në lidhje me Ligjin 65, për të pasur një bisedë me specialistë që punojnë për këtë ligj dhe specialistë të shoqërisë civile për të kuptuar se si funksionon ky ligj. Ju të gjithë keni materialin e përgatitur me reagimet e ndërmarrjeve sociale të herës së fundit, kështu që ne mund t’i dërgojmë pranë Ministrisë. Ligji ende nuk është aktualizuar e nuk do të jetë edhe pas zgjedhjeve, por këtu ka njerëz që kanë pyetje rreth tij.

*

A mund të përsëritim edhe një herë arsyen kryesore se pse jemi këtu, ju lutem? Jam i sigurt se ne jemi këtu për të diskutuar rreth këtij ligji, mendoj se kemi mundësinë të ndryshojmë diçka ose të japim disa shpjegime. Tani, sapo bisedova me përfaqësuesen e Ministrisë dhe ajo më tha se ligji është miratuar.

A kemi ne një shans për të ndryshuar diçka?

Valentina Bonizzi

Kjo është arsyeja pse  kemi ftuar përfaqësuesit e shoqërisë civile. Të gjitha gjërat mund të ndryshohen, edhe ligji mund të ndryshohet. Çështja është që të arrihet të interpretohet, sepse kush e shkroi këtë ligj ka disa arsye dhe ne mund të zhvillojmë këtë dialog për t’i kuptuar këto arsye.

Jam Koordinator Kombëtar në Departamentin e Zhvillimit, Financimit dhe Ndihmës së Huaj në Kryeministri dhe punoj te Programi i Shoqërisë Civile. Fillimisht, duhet bërë dallimi midis COD dhe Kryeministrisë, që janë dy gjëra të ndryshme. Znj. Valentina, bazuar te statusi i saj, po ndërton një dialog ndërmjet nesh dhe jush, si përfaqësues të sipërmarrjes sociale. Zonja përfaqëson COD, kurse unë departamentin përkatës në Kryeministri, i cili mbulon shoqëritë civile dhe sipërmarrjet sociale. Arsyeja pse jam këtu është për të marrë komentet tuaja, për të parë sesi mund ta përmirësojmë klimën e biznesit social. Ligji tashmë është i miratuar dhe për pjesën teknike, ligji është në fuqi për rreth 6-7 muaj. Ajo që ne duam është një feedback nga ana juaj për situatën, si duket ligji dhe cilat janë vështirësitë që hasni në terren. Unë di që ligji nuk është aktualizuar, çka do të thotë se nuk zbatohet ende, pasi mungojnë aktet nënligjore dhe proceset praktike sesi zbatohet ligji.

*

Kjo është me rëndësi për pyetjen e zotërisë, ndoshta ne nuk e ndryshojmë dot ligjin, por mund të ndryshojmë disa akte nënligjore.

*

Ndryshimet që do të propozohen këtu mund të futen tek aktet nënligjore, meqenëse u hap si çështje.

*

Unë vij si përfaqësuese e Ministrisë së Mirëqenies dhe të rrimë të shfajësohemi sesi kemi arritur deri këtu, nuk është e rëndësishme. Më është thënë për këtë takim, pasi nuk kam shumë informacion për COD, sesi organizohen dialogët. Kam rreth dy muaj që punoj në këtë Ministri, megjithatë, mesa kuptoj, është një dialog midis grupeve të interesit dhe shoqërisë civile, ku më pas të gjitha mendimet që jepen do t’i kalojnë Ministrisë dhe do të bëhet ballafaqimi me të gjithë personat që janë marrë me shkrimin e ligjit. Në këtë mënyrë do të merrni përgjigje më konkrete. Këtu jam me cilësinë e dëgjuesit dhe sa për t’ju informuar, ka filluar shkrimi i akteve nënligjore, është bërë marrja e mendimeve në të gjitha Ministritë. Ministria e Drejtësisë ka kthyer mbrapsht të gjithë listën e veprimtarive dhe grupet e pafavorizuara. Megjithatë, për këto grupe është bërë transfuzimi direkt i një rregulloreje europiane të 2016-2020. Unë i kam draftet për projektvendimet. Ai për subvencionet është miratuar nga Ministria e Ekonomisë.

*

Sipas meje, ligji është ndërtuar gabim dhe nuk ka lidhje me sipërmarrjen sociale, por me kooperativat, të cilat i diskutuam herën e parë. Herën e kaluar, ishim më shumë në numër dhe shumica ishin OJF. Vetëm unë isha individ. Morëm çdo pjesë të ligjit në shqyrtim dhe shkruam secili pakënaqësitë tona. Sipërmarrja sociale duhet ndarë në 3 kategori, që janë: biznesi social; ndërmarrja sociale dhe kooperativa. Ligji nuk flet për dy të parat në koncept. Unë si individ kam 4 vjet që punoj dhe drejtoj një biznes social, për këtë arsye nuk mund të quhem ndërmarrje sociale. Në të njëjtën kohë, thuhet se të duhet të fillosh biznesin social me minimumi 3 të punësuar. Në qoftë se marr një rast konkret: unë jam një vajzë që shes kartolina dhe dua që të gjithë të ardhurat që përfitoj, të shkojnë për fëmijët jetimë. -A nuk jam unë biznes social? –Cili është ai biznes që ditën e parë të ketë mundësi të punësojë 3 persona?

*

Personalisht, e kam kuptuar frymën e ligjit si mundësi për të hapur vende të reja pune.

*

Nuk mund të zhvishet nga talenti sipërmarrësi, pasi ai vetë vjen i pari, pastaj bashkëngjisim pjesën sociale. Unë jam themeluese e fondacionit “Down Sindrome Albania” dhe ne ofrojmë shërbime terapeutike për fëmijët Daun, pa pagesë për familjarët e tyre. Mbështetemi nga donatorë të biznesit privat dhe jo nga shteti. Dyqani i luleve DSA, i hapur përpara një viti për të ngritur fonde për fondacionin dhe të punësojë të rinj me Sindromën Daun, apo aftësi të tjera të kufizuara.

Ligji shkurtimisht thotë: – “Merr fondacionin që ke, bëji shërbimet me pagesë dhe je një sipërmarrje sociale”.

Dyqani është i regjistruar si individ (person fizik) dhe nuk është i regjistruar me NIPT, sepse quhet veprimtari ekonomike dhe të ardhurat do të rriteshin e do të tatoheshin me TVSH, gjë e cila nuk duhet për një organizatë.

*

Ekziston një ligj “Standardet e Kontabilitetit për OJF 2016” nga Ministria e Financave, që do të jetë i aplikueshëm për 2017. Shteti ka vendosur fitimin (d.m.th., tepricën aktive). Unë gjeneroj fitim, por fakti që nuk e shpërndaj dhe përdor dot, ai nuk quhet më fitim. Për sa u përket formave juridike, me të drejtë shteti thotë se nëse je person fizik, atëherë je SHPK dhe për rrjedhojë, nëse fiton të ardhura, atëherë duhesh tatuar. YAPS ka 17 vjet që është biznes social në Shqipëri dhe është një nga rastet më të mira. Aktualisht,  ka 85 të punësuar dhe zotëron një tepricë aktive prej 1000 € në bankë; në këtë mënyrë ne bëhemi donatorë për shtetin. Paketa me standardet e vendosur nga Ministria e Financave është bërë posaçërisht për OJF dhe nuk ka më ngatërresa kur shkon te zyra e tatim-taksave. Që këtu fillon ndarja biznes social dhe ndërmarrje sociale. Problemi i biznesit social është pjesa sesi ndihmohet nga shteti ky biznes, si do të jetë ecuria dhe sa do të durojë në treg. Për mua duhet ndarë mirë çfarë është biznes social dhe çfarë është ndërmarrje sociale.

*

Unë nuk mendoj se ligji duhet vetëm për të përcaktuar marrëdhënien e biznesit social me shtetin, kur merr fonde nga ai. Ne funksionojmë si biznese sociale dhe sot nuk kam të drejtë të them se jam biznes social, sepse marr gjobë, edhe pse funksionoj si i tillë.

*

Ekziston mundësia ta ndërrosh, nga formë SHPK në Fondacion.

*

Përse duhet ta ndërroj? Duhen bërë ndarjet e qarta biznes social, ndërmarrje sociale dhe kooperativë.

*

Në çdo vend të botës ndalohet kategorikisht që një biznes social ose ndërmarrje sociale të kenë lidhje me një SHPK.

*

Ne jemi të detyruar të regjistrohemi si të tillë. E vetmja formë për t’u krijuar brenda ditës është person fizik, sepse OJF kërkon 3 muaj. Biznesi social dhe ndërmarrja sociale duhet të jenë me një emërtim të ri dhe s’duhet të kenë lidhje as me OJF, as me person fizik dhe as me SHPK. Që prej fillimit deklarohet: unë jam biznes social dhe funksionoj për këto arsye.

Valentina Bonizzi

Ne jemi këtu për të kuptuar dhe të gjitha gjërat që po themi, duhet t’i kalojmë te personat përgjegjës.

Por kush janë ligjbërësit?!

Problemi është: Si është e mundur të gjendet një mënyrë për sipërmarrësit socialë dhe kush mund t’i përfaqësojë ata në Shqipëri? Pra, nëse është e mundur të gjesh një “person të tretë”, që mund të përcjellë zërin e ndërmarrjeve sociale në Shqipëri te njerëzit që janë përgjegjës, ose punojnë për shoqërinë civile. Ne mund t’i regjistrojmë ata në këtë dialog.

*

Herën e fundit ishte organizata “Partners Albania”, e cila ka zhvilluar mbledhje përgjatë 2 viteve dhe ende po punon për këtë.

Valentina Bonizzi                                                                                                       

Janë shumë palë që po punojnë për këtë, Ministria e Punës, Partners Albania gjithashtu dhe ne.

*

Jam nga Forumi i Ndërmarrjeve Sociale. Ne po punojmë që prej vitit 2008 me projektligjin dhe mund të themi se ligji që kemi në dorë është 80% projektligji që është shkruar nga Forumi  me ndihmën e specialistëve. Ajo që po përpiqemi të themi që prej fillimit është që nuk mund të trajtohet vetëm pjesa sociale. Pra, ky ligj qartësisht, niset dhe përfundon te Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, por kjo nuk është e drejtë, sepse nëse flasim për sipërmarrje sociale, po flasim për njësi ekonomike, pra kapital financiar, kurse kur ne flasim për socialët flasim për kapital njerëzor. Për sa kohë ne vazhdojmë të shohim njëri-tjetrin në sy dhe të kemi përballë vetëm Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, impakti që ne kemi është vetëm social, por veprimi është ekonomik. Tani po flasim për një përvojë europiane. I rëndësishëm është thelbi i sipërmarrjes sociale, i cili ka dy bilance: ekonomik dhe social. Te ligji janë shprehur këto kritere dhe duhet të themi që, këto kritere ekonomike nuk mund të vlerësohen nga ana e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, sepse janë ekonomike si të çdo biznesi tjetër. Pra, është ligji i  shoqërive tregtare, i cili duhej të prekej dhe të parashikonte një formë të re të shoqërisë tregtare, e cila është ndërmarrje sociale. Sipas meje, ekzistojnë 3 variante: biznes social, i cili sipas shembullit europian mund të jetë ai me një ortak të vetëm dhe kur është fjala për ortak nuk po flasim për punonjës, por është ai person që investon vetë. Si mundemi të trajtojmë vetëm OJF dhe të dalim te problemi tjetër si ndërtohet, çfarë objektivi ka OJF-ja, organet vendimmarrëse të OJF-së si Asambleja e Përgjithshme ose Bordi në rastin e fondacioneve apo qendrave. Ky organ shndërrohet në ortakërinë e biznesit dhe Asambleja e Përgjithshme kthehet në ortakëri të biznesit. Organizatat lindin mbi një qëllim/parim, në një çast dhe kontekst të caktuar. Ndërmarrja ka nevojë për baza të forta dhe në fund të vitit duhet të mbijetojë e nuk mund të dalë me bilanc negativ. Ndërmarrja nuk ka lidhje me OJF-të. Sigurisht që nga OJF-të merr nxitje një veprimtari ekonomike.

Valentina Bonizzi                                                                                                      

-Në dialogun 1, sipërmarrësit socialë mendonin se nuk ishte shumë i qartë përkufizimi i ndërmarrjeve sociale dhe i biznesit social bazuar te Ligji 65. Për shembull: -A munden ligjvënësit ta shpjegojnë këtë për sipërmarrësit socialë, apo jo?!

*

Ju jeni duke propozuar; ndoshta ne mund të bëjmë një kërkesë për sektorin ekonomik dhe t’i pyesim pse mendojnë kështu? Pse ky ligj nuk është pjesë e paketave ekonomike?

Valentina Bonizzi                                                                                                     

-Mendoj se më e mira është të kemi një përfaqësues për ndërmarrjet sociale, kështu ne mund t’i pyesim se përse e morën këtë vendim, çfarë qëndron pas tij. E kam provuar këtë më parë, një grup OJQ-je shkon në komision dhe i kemi pyetur se pse ky ligj nuk kërkohet në këtë seksion.

*

Ne e kemi bërë këtë përpara 4 vjetësh, kemi qenë të thirrur nga zëvendësministrja znj. Genta Mara, fillimisht kur kemi filluar këtë nismë. Mendoj se ky ligj kështu siç është, nuk prek as ndërmarrjen sociale dhe as figurën e sipërmarrësit social, por krijon një lloj kundërpale të Ministrisë. Mendoj se janë përpjekur të rregullojnë një pjesë midis Ministrisë dhe OJF-ve, që ofrojnë shërbime sociale dhe kanë legjitimuar këtë marrëdhënie. Mendoj po ashtu, që është rregulluar situata e OJF-ve që ofrojnë shërbime sociale që thotë Ministria dhe në qoftë se të lind një nevojë tjetër nuk mundesh; gjithashtu grupet që ndihmon janë të përcaktuara. Më parë me projektligjin e dërguar fillimisht në Ministri, ne patëm shkarkuar të gjitha kategoritë e vendeve të tjera europiane. Ekziston vetëm një kategori që nuk ishte në vendet e tjera, që janë fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja. Kjo ishte diçka e veçantë që ofrohej vetëm në Shqipëri.

*

Falënderoj iniciatorin e ndërmarrjes së Ligjit 65, paçka se pa mbështetje financiare dhe të qenët në hapat e parë. Vetë misionin tim e konceptoj si një mundësi sociale, mbi speciet endemike të rralla, të rrezikuara të këtij vendi në të gjitha qarqet. Në bordin e “Bioplant Albania” ka persona invalidë, të cilët përpiqen me mundësitë e tyre të mbrojnë një popullatë të caktuar. Është koha për kooperim e për të nxjerrë e evidentuar problemet dhe plagët sociale të këtij vendi dhe janë ndërmarrjet sociale, kooperativat, qoftë dhe ndërmarrjet agroturistike me të gjitha shtresat e përfshira, por jo me lakmi të madhe për të përfituar në kurrizin e shtresave në nevojë. Duhet të funksionojmë si biznes social me bilanc social dhe nuk duhet të tatohemi si persona fizikë, por si misionarë në ndihmë të shtresave të varfra.

Valentina Bonizzi                                                  

 

Duhet të kuptojmë nëse e kemi një mundësi për të shkuar te koordinatori i shoqërisë civile dhe a është e mundur kjo. Qëllimi i laboratorit të parë ishte mbledhja e të gjitha mendimeve të njerëzve dhe vizualizimi i tyre. E gjithë kjo nuk duhet të vijë nga Partners Albania, por nga njerëzit/ndërmarrjet sociale që punojnë me këta persona me aftësi të kufizuara.

*

Përfaqësuese e Shoqatës Shqiptaro-Gjermane OJF dhe prej dy vitesh tashmë, sipërmarrëse sociale e Vizion Social Business. Çështja më madhore është teprica aktive apo fitimi, i cili nuk duhet të shkojë as tek unë, as te ti, por në një kauzë të caktuar.

*

Sot jam në cilësinë e anëtares së shoqërisë civile. Misioni ynë është të bëjmë një shoqëri civile lehtësuese në terma financiarë e institucionalë. Të ndihmojmë Shqipërinë për të bërë politika lehtësuese për sektorin. Duhet të unifikohet mendimi i sipërmarrësve socialë dhe më pas të përcillet tek organi kompetent. Në qoftë se bihet dakord për të shkruar një letër, e dërgojmë më pas te këto organe dhe bëhet një advokaci për të.

Valentina Bonizzi                                                                                                      

A mund të na shpjegosh (Ergis Sefa), si duhet shkruar/ndërtuar kjo letër nga ana e sipërmarrësve socialë?

*

Ekziston një mekanizëm institucional për të nisur një kërkesë pranë Këshillit AMSHHC, më pas Këshilli formulon një set rekomandimesh dhe ia kalon Këshillit të Ministrave.

*

A mund të përpiqemi të bëjmë një simulim të këtyre modeleve (3 modele), që të arrijmë të kuptojmë si duhet të funksionojmë?

*

Sugjerimi im është që në takimin e radhës të jenë ata që kanë propozuar draftligjin dhe ekspertë nga tatim-taksat.

Valentina Bonizzi

Kjo hapësirë ​​i dedikohet këtij dialogu, kështu që nëse dëshironi ta përdorni për të shkruar letrën, mund ta bëjmë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s