Dialogu 1

di-utube

DIALOGU 1 fton ndërmarrjet shoqërore që morën pjesë në Forumin për ndërmarrjet shoqërore në vitin 2013 dhe të tjerë në mesin e rrjetit të tyre, që të bëjnë një dialog në lidhje me Ligjin 65 i cili është miratuar vitin e kaluar dhe është gati për t’u aplikuar.

Duke përdorur formatin e laboratorit dhe grupit të punës, qëllimi është të mblidhen përgjigjet e tyre në lidhje me ligjin, një pjesë nga njohuritë e tyre dhe për të kuptuar më mirë motivimin pas punës.

Janë mbledhur një seri përgjigjesh në lidhje me ligjin, me qëllim që të ribëhet diskutimi në Dialogun 2, ndërsa bëhet prezantimi i tyre me Këshillin Kombëtar të Shoqërisë Civile.

  Tiranë, më 06.04.2017

| Arti i Procesit | # Dialogu 1 |

 

PERGJIGJE TE MBLEDHURA NGA LABORATORI

I

-Çfarë punoni?

-Jam drejtuese e një biznesi social prej 4 vitesh (Prill, 2013). Biznesi quhet “Pana” dhe ka nisur punën pas një konkursi organizuar nga “Partners Albania” (Ide të gjelbra dhe biznes social). “Pana” është një kompani që prodhon mobilie tërësisht ekologjike, të cilat realizohen nga ripërdorimi i drurit të vjetër (peletë, dru ndërtimi, mobilie të vjetra) dhe punëson persona nga grupe të margjinalizuara (jetimë, romë, egjiptianë, pensionistë, persona me aftësi të kufizuar).

Vendndodhja: Tiranë.

-Pse e bëni këtë?

-Secili nga ne ka misione të caktuara në jetë, misioni im si aktiviste është të realizoj produkte unike në respekt të natyrës, duke ruajtur dhe duke çuar përpara traditën. Si njeri duhet të jap ndihmesën time për më të pambrojturit dhe të krijoj mundësinë që ata të kenë jetë dinjitoze dhe të fitojnë një profesion.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

-Një fjali është pak për të treguar sfidat tona të përditshme. Personat e grupeve të margjinalizuara janë mësuar me mospasjen e dëshirës për të punuar. Klientët i quajnë këta persona të paaftë për të punuar.

Refleksione:

-Mendoj se ligji është i mangët, pasi nuk përfshin të gjitha format e realizimit të një biznesi apo ndërmarrjeje sociale. Duhet të ishte mbledhur një grup i specializuar, para se të miratohej ligji. Ky ligj hedh poshtë punën time të 4 viteve apo edhe shumë individëve të tjerë, të cilët kanë vite që përpiqen të ndihmojnë grupet e margjinalizuara në forma të ndryshme. Mendoj që duhet rishikuar për t’i ndihmuar këto grupe dhe jo penalizuar ato. Ndërmarrja sociale nuk është vetëm OJF.

II

-Çfarë punoni?

-Nëse quhet punë, unë jam aktiviste e një grupi informal të rinjsh që merren me aktivizëm kulturor.

-Pse e bëni këtë?

-Për vete dhe të tjerët.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

-Vështirësia e përballjes me institucionet dhe burokracitë institucionale.

III

-Çfarë punoni?

-Angazhimi i familjeve në bashkësi, për grumbullimin e frutave të pyllit, gjithashtu përpunimi dhe kultivimi i tyre.

-Pse e bëni këtë?

-Për të përmirësuar jetën e banorëve, për të rritur nivelin profesional dhe për të pasuruar natyrën me kultivimin e frutave dhe lëndëve mjekësore.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

-Investimi në krijimin e kooperativave.

IV

-Çfarë punoni?

 -Mbështetje e promovim i ndërmarrjeve sociale në Shqipëri.

-Ndërthemeluese e Forumit për Ndërmarrjet Sociale.

Vendndodhja: Tiranë.

-Pse e bëni këtë?

 -Sepse, mendoj që është zgjidhje e mirë për të gjitha ato situata të izolimit social e gjeografik, që çojnë në margjinalizim e paaftësi.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

-Paqartësia e ligjeve, burokracia e theksuar, mungesa e mbështetjes në terma garancie.

 

V

-Çfarë punoni?

-Aktualisht jam president i Shoqatës së Invalidëve të Punës në Shqipëri.

-Pse e bëni këtë?

Mbrojtja e interesave dhe të drejtave të invalidëve të punës. Përfaqësoj një shtresë prej mbi 75.000 invalidësh. E kryej këtë detyrë si i zgjedhur nga komuniteti i invalidëve të punës.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

-Mbrojtja e interesave ekonomike-sociale të invalidëve të punës.

VI

-Çfarë punoni?

 -Jam presidente e organizatës “Moda Konfeksion në Shërbim të Gruas”, e themeluar me vendim të Gjykatës së Tiranës në vitin 1998, me shtrirje gjeografike në të gjithë Shqipërinë. Synimi ynë është të nxisë gratë dhe vajzat në nevojë drejt punësimit në fushën e tekstileve dhe artizanatit.

-Pse e bëni këtë?

Arsyet pse ne punojmë me këtë target grup, janë:

-Sepse gratë dhe vajzat në nevojë, për punësim në zonat urbane, periferike apo rurale janë të shumta;

-Fusha e tekstileve dhe artizanatit ofron mundësi për punë specifike për femra;

-Organizata jonë ofron ekspertizë të plotë për trajnim dhe këshillim.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

-Gjetja e mbështetësve nga ana e shtetit apo organizatave ndërkombëtare, për të krijuar ndërmarrje sociale në mënyrë që të mbështeten dhe nxiten nismat e grave në tekstile dhe në ruajtjen e trashëgimisë artizanale në Shqipëri.

VII

-Çfarë punoni?

 -Jam drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Shqiptare të Sigurisë e Shëndetit në Punë, AOSHC, financuar nga BE. Në të njëjtën kohë, jam pjesë e Rrjetit Rajonal të Sigurisë e Shëndetit në Punë”. Ne kemi ngritur Rrjetin Kombëtar të Sigurisë e Shëndetit në Punë dhe ofrojmë trajnime, kërkime, ekspertiza, studime dhe mbrojtjen e kushteve të punës. Punojmë ngushtë me organizatat e punëdhënësve, punëmarrësve, organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët e fushës, studentët e këdo që është i interesuar për punë të denjë.

-Pse e bëni këtë?

 -Ne duam standarde të mira pune në kushtet e prodhimit, ndaj punojmë që çdo punëmarrësi t’i ofrohen kushte pune të sigurta e të shëndetshme dhe produktive. Asnjë produkt i prodhuar në kushte të këqija pune nuk duhet të ketë vlerë, ndaj ndërgjegjësimi i popullatës për legjislacionin e punës dhe sigurinë e shëndetin në punë, do të ndihmojë në mirëqenien në punë dhe kryerjen e punës së denjë.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

 -Sfida jonë është përpjekje serioze për punë të denjë, mirëqenie në punë duke krijuar kushte pune dhe vende pune të sigurta, të shëndetshme e produktive.

Refleksione:

 -Ky ligj nuk favorizon kontekstin në të cilin mund të mbështetet një sipërmarrje sociale. Nuk janë të qarta mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të financimit të ndërmarrjeve sociale. Me të gjitha përmirësimet që i janë bërë ligjit, iniciativën për ndërmarrje sociale mund ta marrë edhe një individ apo person juridik dhe jo vetëm një OJF. Duhet të shoqërohet që në koncept nga aktet nënligjore, gjithnjë pas një konsultimi të gjerë me grupet e interesit, veçanërisht shoqëri civile. Grupet e pafavorizuara duhet të përcaktohen qartë në aktet nënligjore, duke qenë gjithëpërfshirëse për kategoritë e grupeve në nevojë. Ligji në përmbajtje nuk ka dispozita të harmonizuara me njëra-tjetrën.

 

VIII

-Çfarë punoni?

 -Jam drejtor ekzekutiv i fondacionit “Krahët e Shqiponjës”, i licencuar për ofrim shërbimi të përkujdesjes sociale. Kemi një qendër përkujdesjeje në Tiranë dhe akomodojmë vajza të cenueshme, të cilat vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

-Pse e bëni këtë?

 -Ne kemi parë nevojën e madhe për të ndihmuar vajzat dhe djemtë që dalin nga shtëpitë e fëmijëve ose vijnë nga familje abuzive dhe neglizhuese, për mbrojtje, edukim e pajisje me aftësi për jetesë së pavarur.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

 -Sfidat kryesore janë proceset dhe procedurat burokratike, të cilat marrin kohë dhe shpeshherë bëhen pengesë.

Refleksione:

 -Duke konsideruar format e ndryshme ligjore që mund të ketë një ndërmarrje sociale (kjo në bazë të eksperiencës së deritanishme të subjekteve NS, por që kanë forma të ndryshme regjistrimi si biznes, kooperativë, OJF), kuadri ligjor duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të mos jetë i kufizuar vetëm për OJF-të. Ligji duhet të ndryshojë komplet, duhet zgjeruar lloji i organizimeve brenda ndërmarrjes sociale, duke ofruar kështu një kuadër mundësues për zhvillimin e tyre dhe rrjedhimisht, për të rritur impaktin e tyre në shoqëri. Aktet që po përgatiten duhen konsultuar gjerësisht me shoqërinë civile, sipërmarrjet sociale dhe grupet e interesit.

IX

-Çfarë punoni?

-Koordinator programi te “GIZ Pro Seen”.

-Pse e bëni këtë?

 -Ne mbështesim ekosistemet “start up” dhe kemi në fokus ndërmarrjet shoqërore.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

 -Drejtuar ligjit: Është e qartë se cilat janë obligimet e një OJQ-je/ NFP për t’u bërë një ndërmarrje sociale, por është e paqartë se cilat janë përfitimet. Organizatat/ NFP, kanë funksionuar në këtë mënyrë për një kohë të gjatë, pa miratimet e Ministrit.

 

X

-Çfarë punoni?

 -Specialist komunikimi tek organizata “Të ndryshëm e të barabartë”.

Vendndodhja: Tiranë.

-Pse e bëni këtë?

 -Të jesh pjesë e shoqërisë civile, të jesh ndihmë sado e vogël e grupeve të cenueshme dhe riintegrimit të tyre është kënaqësi e veçantë.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

 -Ka mangësi në legjislacion dhe pak përkrahje nga institucionet shtetërore.

 

XI

-Çfarë punoni?

 -Punoj në një organizatë joqeveritare “Partners Albania” për ndryshim dhe zhvillim si drejtore e programeve. Misioni i organizatës është avancimi i shoqërisë civile në Shqipëri dhe krijimi i një mjedisi bashkëpunues me qeveritë (nivel vendor dhe qendror) dhe biznesmenë, për një shoqëri më të zhvilluar dhe zhvillim socio-ekonomik të qëndrueshëm.

-Pse e bëni këtë?

 -Disa nga fushat tona të ekspertizës përfshijnë kërkime, lehtësime procesesh në pjesëmarrje, hartim dokumentesh strategjike për institucione qeveritare, bashki, OJF, gjithashtu trajnim dhe asistencë për OJF, pjesëmarrje në politikëbërje, advokaci dhe lobim.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

 -Ka shumë sfida të cilat përfshijnë: mungesë kuadri ligjor ose kuadër ligjor të papërshtatshëm; mungesë zbatimi ligjesh; kuadër ligjor jomundësues për shoqëri civile dhe sipërmarrje sociale; mungesë dialogu dhe pjesëmarrje në politikëbërje të OJF-ve, biznesit; mungesë fondesh; mundësi bashkëpunimi ‘Shtet-Biznes-OJF’.

XII

-Çfarë punoni?

 -Punoj në Institutin e Kërkimeve Urbane në Tiranë, si menaxhere projekti. Projekti social më i afërt që ne kemi përfunduar është “Hartimi i Planit të Përfshirjes Sociale” në Bashkinë e Durrësit, i cili është miratuar në Këshillin Bashkiak. Edhe pse nuk përfaqësoj një organizatë me fokus në aspektin social, e cila ka kryer disa projekte dhe vazhdon të zbatojë projekte sociale.

-Pse e bëni këtë?

 -Puna në një OJF më ndihmon të jem shumë afër grupeve të cilat kanë më shumë nevojë dhe nëpërmjet projekteve të ndryshme, japim ndihmën tonë. Përmirësimi i jetesës së grupeve të ndryshme të cilat kanë nevojë, është elementi kryesor i punës sonë në shoqërinë civile. Por, zbatueshmëria e ligjeve në këtë aspekt shpesh nuk është korrekte, gjë e cila vështirëson përmirësimin social në Shqipëri.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

 -Sfida kryesore lidhet me ndryshimin e perceptimit të komunitetit dhe me trajtimin e grupeve në nevojë.

XIII-XIV

-Çfarë punoni?

 -Koordinator i qendrës rinore “ARKA” dhe shoqatës “ACLI-IPSIA”.

Misioni: Promovimi i parimeve themelore të demokracisë, forcimi i individit si pjesë e pandashme e shoqërisë, nxitja e punësimit dhe promovimi i ndërmarrjeve sociale.

Vendndodhja: Shkodër.

-Pse e bëni këtë?

 -Sepse na pëlqen si punë dhe është instrument shumë i mirë, i cili më ndihmon të ndryshoj jetën time dhe të të tjerëve.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

 -Të mos dorëzohesh ndaj sfidave të ndryshme, të cilat vijnë si pasojë e burokracive të enteve shtetërore, personave që punojnë në to dhe vështirësive që ka puna.

 

XV-XVI

-Çfarë punoni?

 -Koordinator rrjeti te “Caritas Dioqezian Tiranë-Durrës”, për shkollat e institucionet edukative dhe për Komisionin Kombëtar të Edukimit Katolik.

-Pse e bëni këtë?

 -Besoj fort në vlefshmërinë e iniciativës së ndërmarrjeve sociale, si zgjidhje e mirë dhe efikase për një sërë problematikash, në të cilat gjenden personat e cenueshëm (vulnerabël).

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

 -Vendosja e një marrëdhënieje besimi, ndër aktorë privatë dhe shtetërorë, gjithashtu mbështetja dhe promovimi real si një aset i rëndësishëm për realitetin që impenjohet në fushën sociale.

XVII

-Çfarë punoni?

 -Agjent zhvillimi lokal, tek organizata “Cesvi”. Projekti “BKZ”, i financuar nga “AICS”. Vendndodhja: Përmet.

-Pse e bëni këtë?

 -Pasi më tërheq fort fusha sociale dhe kontributi në një projekt, i cili ka dhënë rezultate konkrete dhe të prekshme në territorin ku po zbatohet.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

 -Sfida kryesore është bashkëpunimi dhe komunikimi me institucionet shtetërore (qendrore dhe lokale), në mënyrë që iniciativat të cilat vijnë nga OJF, të kenë impakt më të gjerë.

Refleksione:

 Neni 27, Pika 2: Ndërmarrjet sociale trajtohen njësoj me të gjitha llojet e tjera të sipërmarrjes në procesin e prokurimeve publike. Do të ishte ndihmë e madhe, nëse NS si entitete me aftësi jo të plota për të konkurruar në prokurime publike me të gjitha llojet e tjera të sipërmarrjeve, t’u krijohen disa avantazhe në këtë aspekt.

 

XVIII

-Çfarë punoni?

 -Menaxher financiar tek organizata “Cesvi” dhe anëtar te shoqata “Pro Përmet”. Vendndodhja: Përmet.

-Pse e bëni këtë?

 -Arsyeja përse jam anëtar i shoqatës “Pro Përmet”, është sepse jam i interesuar në promovimin dhe prodhimin e produkteve tipike të zonës së Përmetit.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

 -Një sfidë kryesore është marrëdhënia me institucionet shtetërore përkatëse të shoqatave, sepse vetë këto institucione (p.sh., Drejtoria e Tatimeve), nuk kanë ligj të qartë dhe specifik për trajtimin e shoqatave.

XIX

-Çfarë punoni?

 -Menaxher te “New York Tirana Bagels”.

Vendndodhja: Tiranë.

-Pse e bëni këtë?

 -Duhet të kem një punë dhe jam e ndjeshme ndaj çështjeve sociale.

-Me një fjali, a mund të shkruani cila është sfida e të punuarit në fushën sociale në Shqipëri?

 -Mungesa e kuadrit ligjor, lehtësirat për ndërmarrjet sociale dhe ndërgjegjësimi i njerëzve është sfida më e madhe në mbështetjen që duhet të kenë ndërmarrjet sociale.

Refleksione:

 –Në ligj nuk janë reflektuar saktë neni me definicionin e ndërmarrjes sociale. Përjashtohen disa grupe të favorizuara. Spektri ku operon një ndërmarrje sociale është i kufizuar. Nuk reflektohet pavarësia në vendimmarrje. Grupet e interesit nuk kanë zënë vend me vërejtjet e tyre në këtë ligj.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s