Arti i Procesit + Wurmkos

WURMKOS, T’U JAPËSH FORMË IDEVE
Pjesëmarrje në projektin Arti i Procesit
Pasquale Campanella

Metoda është një rrugë e përshkuar më parë. (Giorgio Agamben)

I dashur Pasquale,

Të shkruaj nga Tirana, ku po udhëheq një ekspozitë-laborator që përfshin sipërmarrësit socialë në Shqipëri dhe mendoj se do të ishte shumë interesante të kishim mundësi të prezantonim punën e Fondacionit Wurmkos. Maria Rosa Sossai më sugjeroi të të kontaktoja dhe duke e njohur punën e grupit, mendoj se do ishte shumë interesante ta prezantonim në këtë kontekst. Hapësira në të cilën do të vendoset laboratori është vendi ku po punoj si kërkuese e asociuar, në Qendrën për Hapje dhe Dialog, një hapësirë dedikuar artit, hulumtimit dhe politikës, në Kryeministri, në Tiranë.

Përshëndetje të përzemërta nga Shqipëria

Valentina

Nëpërmjet këtij emaili, Valentina Bonizzi e ftoi Wurmkos-in të merrte pjesë, nga shkurti në tetor 2017, në projektin Arti i Procesit. Projekti përfshin sipërmarrësit socialë në vend, që nuk kanë ende status juridik dhe pjesëmarrjen e tyre në procesin e hartimit të akteve nënligjore të Ligjit 65/2016 “Mbi Ndërmarrjet Sociale në Republikën e Shqipërisë”.

Projekti vë në qendër problematika shumë të rëndësishme dhe komplekse, si nga pikëpamja politike, ashtu edhe artistike. Marrin jetë disa pyetje: në ç’mënyrë kontribuon sistemi i artit në botën e çështjeve sociale? Si ndërhyn arti dhe më pas, si kontribuon në punën e sipërmarrësve socialë? A mund të ofrojë arti një model apo thjesht një hapësirë reflektimi për zhvillimin e mikroekonomive të qëndrueshme në fushën sociale?

Arti mund të jetë një mjet i rëndësishëm për zhvillimin e një territori, por mund të jetë edhe një stoli boshe.

Tashmë është përhapur gjerësisht ideja se zgjidhja për çdo problem social është arti, sikur praktikat e pjesëmarrjes të mund të zgjidhnin çdo problem etik e social. Gabimi i zakonshëm që bëhet është vendosja e artit në “shërbim” – të një shërbimi social, të një fushe që duhet të rivlerësohet, të një projekti politik për t’u mbështetur, etj., – pa marrë parasysh kulturën lokale dhe ndërhyrjen e qytetarëve.

Proceset artistike kanë pak nga të qenët “funksionale”, ato janë linja të arratisjes që vrapojnë në rrugë thuajse të pashkelura dhe ndonjëherë, plotësisht të paeksploruara e prodhojnë diçka të papritur dhe të panjohur; edhe në projektet pjesëmarrëse, që kanë të bëjnë e procesin, deshifrimi i këtyre prodhimeve, në dukje rezulton i pakapshëm.

Përfshirja e shikuesve, siç e deklaronte më parë në New genre public art (Zhanrin e ri të artit publik) Suzanne Lacy, në pjesëmarrjen dhe zhvillimin e një projekti, ka çuar gjithnjë e më shumë në pamjen e pjesshme dhe fragmentare të të dhënave artistike, që ndonjëherë shpërbëhen në një proces social.

Projektet e artit publik, si artet pamore, janë një manipulim i realitetit dhe është nëpërmjet kësaj që vijnë mendimet e abstraksionit, krijuese dhe imagjinare. Problemi është prania si objekt, trup, hapësirë dhe se si ndodh ky shndërrim, kur duket se e ke fokusuar tashmë e ai të del gjithnjë nga fokusi; ka vetëm një siguri: procesi ka ndodhur me një mori njerëzish. Arti është domosdoshmërisht jo-solipsistik, është një dirigjent i “grumbullimit të lumturisë” dhe i shumë realiteteve që e banojnë botën. Është ky tension zgjerimi si njollë nafte që ushqen projektet e Wurmkos-it dhe marrëdhënia zhvillohet në mënyrë direkte e personale, duke tejkaluar edhe marrëdhënien mes artistitit e komunitetit.

Projekti Arti i Procesit kishte që nga fillimi një përbërës bivalent, afirmimin e një projekti të lidhur me artin bashkëkohor, por gjithashtu një prirje të fortë për çështjet sociale dhe problemet politike të aktualitetit në Shqipëri. Të dy aspektet, artistik dhe social, janë mirëpritur gjithnjë nga Wurmkos, që nga krijimi i  tij, si kusht njerëzor dhe ekzistencial në brendësi të kërkimit të artit.

Bota e artit dhe ajo e çështjeve shoqërore janë të ndryshme, por jo në kundërvënie, ndonjëherë del në pah njëra, ndonjëherë tjetra. Për shembull, puna me sipërmarrësit socialë, nga aq sa më treguar Valentina Bonizzi, artiste dhe kuratore e projektit, në momentin e parë funksionoi si laborator diskutimesh, përballje politike mes individësh dhe, nëpërmjet fjalës, krijoi marrëdhënie. Arti ishte asokohe një pikë referimi larg nevojave të menjëhershme. Puna e Wurmkos në këtë fazë të parë ishte në dispozicion të atyre që kishin kuriozitetin për të hulumtuar projekte të tjera, duke zgjeruar dhe diversifikuar, si reflektimet, ashtu edhe veprimet.

Të dashur miq dhe artistë që jeni pjesë e projektit Arti i Procesit në COD, Tiranë, ju shkruaj për t’ju përditësuar.

Gjatë javëve të fundit nuk kemi mundur ta hapim për publikun derën kryesore, për shkak të një proteste që vazhdon, të iniciuar nga Partia Demokratike (e djathta shqiptare) përpara Kryeministrisë, ku ndodhet COD.

Po ju bashkëngjit disa fotografi të protestës dhe hapësirës së ekspozitës, ku në një mur kam vizatuar në formë konstelacioni ligjin nr. 65 “Mbi ndërmarrjet Sociale”, me qëllim krijimin e dialogut midis sipërmarrësve socialë, ligjvënësve dhe artistëve.

Për ditë me radhë kemi pritur që protesta të përfundonte, për të shpallur “hapjen e vërtetë”, por ndërsa ne punojmë, duke dëgjuar jehonat që vijnë nga jashtë, dritën e dobët që hyn në ndërtesë, mendova se gjithsesi, kjo ishte një mundësi për të aktivizuar një reflektim mbi rolin e politikës dhe artit.

 Ndërkohë, do të doja t’ju bëja një propozim.

Prej kohësh punoj me një grup të rinjsh rreth të njëzetave dhe do të më pëlqente të aktivizoja hapësirën ekspozuese të COD, duke u prezantuar atyre projektet tuaja. Të ftuarit mund të hyjnë nga pjesa e pasme e ndërtesës dhe me ta mund të kryejmë një seri veprimesh, edhe të vogla, që mund të nxitin reflektimin mbi artin dhe politikën, mbi dialogun publik dhe privat.

Ju kërkoj të propozoni ushtrime që mund t’i bëjmë në distancë, reflektime ose veprime që mund t’i aktivizojmë me të rinjtë ose stafin e COD-it, që mund të mblidhen e të rikthehen kur protesta të mbarojë.

Do të doja shumë të ndaja këtë hapësirë/kohë me ju.

Mbetem në pritje të përgjigjes suaj.

Valentina

Nëse Paolo Mottana, profesor i Filozofisë së Arsimit në Universitetin e Milanos Bicocca do të kishte marrë pjesë në këtë veprimtari, me siguri do të kishte pohuar se protesta ishte një hipergjest i përsosur, që në realitetin  e zhvillimit të Artit të Procesit krijoi kushtet për një ndryshim thelbësor të  projektit, aspak të parashikuar përpara protestës.

U shfaqën probleme të ndryshme që në realitet na çuan në shqyrtimin e faktorëve të tjerë për projektin.

Mbyllja neutralizon aktivitetin publik, por na lejon të reflektojmë mbi përdorim të ri të COD – Qendrës për Hapje dhe Dialog, duke i kthyer hapësirat ekspozuese në vende hulumtimi dhe eksperimentimi.

Kjo dykuptimësi të shtyn të mendosh mbi vetë natyrën e artit dhe marrëdhënies me spektatorin, duke kapërcyer unicitetin e hapësirës ekspozuese, White Cube. Hapësirat e COD janë gjithashtu vende pune, takimi dhe përfaqësimi të Qeverisë shqiptare, ku hyn arti dhe si një medium alkimik vendos në raporte botën e brendshme me atë të jashtme, duke krijuar, edhe te spektatori, lëvizshmëri më të madhe lidhur me “kontenitorin” më të madh, qytetin.

Projekti i ri përfshinte një seri ushtrimesh dhe eksperimentesh të Wurmkos që Valentina do të realizonte me disa grupe të rinjsh dhe sipërmarrës socialë. Ishte ndërmjetësja jonë për të aktivizuar COD dhe disa vende në qytet. Kështu, mbyllja e projektit Arti i Procesit u transformua në një projekt të mëtejshëm, me zgjerimin përkatës, duke e zhvendosur vëmendjen te didaktika e artit. Kjo mënyrë e ndryshon natyrën e vetë artit dhe veprës së tij, një alternativë radikale, si ndaj institucionit skolastik, po ashtu edhe artit me “a” të madhe.

Qëllimi ishte përhapja në kontekstin urban dhe jashtëurban të mundësisë së pjesëmarrjes së lirë dhe gjenerative, që t’i vinte në kushte krejtësisht të ndryshme njerëzit që kanë zgjedhur të marrin pjesë në realizimin e ushtrimeve. Një mënyrë për të reaguar ndaj homologimit dhe për të qenë pjesë aktive në prodhimin e artit. Në praktikën artistike, marrëdhënia dhe përfshirja jo e instrumentalizuar e njerëzve që jetojnë në territorin ku është ndërhyrë, janë me rëndësi të madhe në momentet e reflektimit mbi historinë e komunitetit dhe  rikuperimit të proceseve jetësore, kulturore e të komunikimit.

Ushtrimet e Wurmkos për jo-artistët, sipërmarrësit socialë dhe politikanët mund të përdoren lirisht dhe janë ndërtuar mbi pyetje e veprime mbi temat e mëposhtme: fjalët dhe gjërat, kornizat, binjakët, e mira e përbashkët, arti publik, politika. Ushtrimet janë menduar dhe strukturuar vetëm për këtë ndërhyrje në Shqipëri, duke iu referuar historisë, kujtesës kolektive, ndryshimit të vendeve dhe të jetës në Tiranë.

I dashur Pasquale,

Për ushtrimet do të takoj vajzat të mërkurën dhe tashmë kemi vendosur t’i bëjmë në Kamzë, në periferi, më 14, 15 dhe 16 gusht, bëjmë tri ditë intensive! Kurse për sipërmarrësit socialë propozoj një simpozium të ekonomisë sociale dhe me këtë rast, do t’u sugjeroja pyetjet e tua biznesmenëve dhe politikanëve; nuk e di ende si t’ia bëj, por gjatë javës do ta zgjidh.

I takova vajzat dhe ushtrimet u pëlqyen shumë të gjithave. Për fotoromanin, nuk e di nëse mund të bëjmë pikërisht një të tillë, por mora gazetat zyrtare të Këshillit të Ministrave të viteve të lindjes dhe vdekjes së Enver Hoxhës, plus të ditëlindjeve tona. Nga kjo do të ndërtojmë një histori.

 15.16.17 Gusht, Kamzë, Shqipëri

Mbërritja në Kamzë, në periferi të Tiranës, ditën e mesgushtit, pasditen e vonë pas punës.

Ditë më parë u tregova ushtrimet vajzave, duke identifikuar ato që mund t’i bënim bashkë. Fillimisht, vendosëm të krijojmë një fotoroman me librat e Vendimeve të Këshillit të Ministrave, duke zgjedhur vitet tona të lindjes, ’91, ’92, ’93, ’95 dhe ’82. Para se të shkoja unë, u kujdesëm për përkthimin e ushtrimeve që kishim zgjedhur: fjalët dhe gjërat, binjakët, e mira e përbashkët, arti publik, politika.

Kur arrita në Kamzë, perceptimi i veprimeve të mundshme dhe rëndësia e disa ushtrimeve, u transformua. Pas ballafaqimit me vajzat, vendosëm  t’i kryejmë lirisht ushtrimet e Wurmkos, duke filluar me pyetjet për të mirën e përbashkët. Ky argument ishte shumë i ndjeshëm për pjesëmarrësit, sepse ata kishin një grup që vepronte në mënyrë aktive në jetën kulturore dhe atë sociale.

Pyetja fillestare ishte: “Ku ka përfunduar e mira e përbashkët? Pse sot është e rëndësishme të flitet për të mirën e përbashkët?” E regjistruam bisedën, diskutuam për çështje të ndryshme; kur flasim për të mirën e përbashkët, a po mendojmë vetëm për objekte, ndërtesa publike apo edhe për ajrin që thithim?

Për shembull, javën e kaluar ka pasur një protestë në Kamzë, sepse ajri ishte ndotur nga djegia e plehrave… Edhe ligjet mund të jenë një e mirë e përbashkët. A e rregullon ligji të mirën e përbashkët? Në Kamzë ekzistojnë ndërtesa publike, por nuk përdoren, qëndrojnë të mbyllura, siç është ndërtesa e Bibliotekës, prandaj koncepti i së mirës së përbashkët tenton të zhduket, nuk është aq i dukshëm. Kur përdoret një e mirë e përbashkët… Në historinë e Shqipërisë, koncepti i kolektivitetit gjatë komunizmit ishte i ndryshëm. Ndalova, radioja u ndez, muzika… Demokracia është pjesëmarrje. Ushtrimi do të na bëjë të organizojmë një drekë. Ligji, rruga, pastaj pritja.

Gjatë bisedës shënuam vendet përfaqësuese të Kamzës që mishërojnë të mirën e përbashkët dhe gjithashtu abuzimet, që nëpërmjet sistemeve të pushtetit, kanë kolonizuar dhe ndryshuar natyrën e këtyre vendeve. Pas përfundimit të diskutimit, shkuam t’i vizitojmë së bashku.

Në mbrëmje duhej të takoheshim dhe me vajzat e tjera të grupit e duhej të vendosnim se si ta bënim ushtrimin. Gjithashtu lexuam pjesë nga ushtrimet mbi artin publik, duke shpërndarë shprehjen e Alessandra Piosellit: “Pjesëmarrja është gjithmonë një mjet, jo një fund(…). Pika kryesore mbetet prodhimi i kuptimit. Aksioni artistik mund të zhvendosë mënyrën e të parit të gjërave, por është e rëndësishme që ta bëjë me të vërtetë: qëndron në mes cilësia e veprimit dhe pasuria e përvojës së prodhuar. “

Pra, zhvilluam pikën A të ushtrimit mbi artin publik duke zgjedhur një park ku kishim kaluar kur po ktheheshim nga shtëpia e Dianës, një natë më parë. Në parkun me barin e thatë dhe një rrugë të vogël të përbaltur, kishte disa lopë. Pasi vura re se ca familje e kishin zgjedhur si vend pushimi për të qëndruar me fëmijët e vegjël, mendova se mund të ishte një mënyrë për të kuptuar nëse hapësira ishte publike apo private, një pyetje së cilës askush nuk dinte t’i përgjigjej.

Kur erdhën vajzat, u nisëm në këmbë dhe me biçikletë drejt fushës. Ishte ora 18:30, dielli po perëndonte, drita ishte e trëndafiltë, vinte era dru që digjej, heshtja i paraprinte darkës.

U ndamë dhe secila prej nesh shkoi të “shijonte” intimitetin e saj në hapësirën publike, me një libër, një stilolaps dhe një fletë. Ushtrimi duhet të zgjaste njëzet minuta dhe unë isha përgjegjëse për matjen e kohës.

Minutat kaluan shpejt, por vajzat donin të qëndronin më gjatë. Ato nuk kishin përjetuar kurrë diçka të tillë në një vend publik, në atë mënyrë, në qytetin e tyre. U largova, për t’i lejuar vajzat të kishin më shumë kohë, kur një zonjë me lopë iu afrua Dianës duke i thënë se ajo paguante çdo muaj për fushën e kullotjes dhe ne nuk kishim të drejtë të qëndronin atje. Kështu,  u ngritëm dhe u kthyem në qendër, për të mbushur fletët me tregimet tona, mendimet tona dhe i ndajmë mes nesh. Duke mos qenë në gjendje të flinim të gjithë bashkë në qendër, ashtu siç kërkohej në ushtrim, u takuam mëngjesin e ardhshëm. Rimorëm tekstet tona dhe nxorëm pjesët thelbësore.

Ideja e drekës, nga ana tjetër, u shndërrua në një propozim tjetër, që ishte organizimi i një martese sociale, të cilën, me vajzat e quajtëm: MARTESA E ATYRE.  

E mira e përbashkët

“Si ta mendojmë të mirën e përbashkët në një kontekst ku sfera politike dominohet nga fuqitë ekonomike dhe financiare në shërbim të interesave apo private? Pra, ku përfundoi e mira e përbashkët?”(Salvatore Settis)

Pyeta veten se pse grupi i vajzave që kanë punuar në Kamzë, zgjodhi pyetjet dhe ushtrimet për të mirën e përbashkët; përgjigjet po ashtu janë në formë pyetjesh: është nevoja për atë zonë? Apo është kriza ekonomike që ka theksuar problemin e burimeve që duam të gjithë, ajri, uji, toka? Apo nevoja për të mbrojtur atë që i takon komunitetit dhe jo dobia e pak privatëve?

E mira e përbashkët është një dobi sociale, të ndihesh pjesë e një qytetarie aktive, këtë kanë deklaruar disa herë në debatin e tyre, duke pyetur nëse ekzistojnë akoma vlerat kolektive në një kontekst politik dhe kulturor, pa perspektiva të mëdha. Në një të tashme me pak mundësi zgjedhjesh, grupi i punës së Kamzës ka ushqyer dhe kundërvënë një perspektivë më të gjerë, më altruiste, si ajo e së mirës së përbashkët.

Si ndikojnë përvojat e artit publik, pjesëmarrës, të zbatuara në sferën publike të projektit në Shqipëri? Kanë mundësi të angazhohen me potencialin e tyre krijues, konfliktual dhe me procedura të pavarura nga vizionet institucionale, për ta zhvendosur kuptimin nga një logjikë argëtimi, në atë të krijimit të hapësirave për komunitetin, që e bëjnë më të dëshirueshme jetën e përbashkët?

Është e domosdoshme që ekonomia dhe politika të kenë kurajën ta ribëjnë veten rreth një kapaciteti të rigjetur e të projektuar dhe rreth rithemelimit të një ideje për të mirën e përbashkët, që është në krizë dhe pikërisht për këtë, është interesante të reflektojmë rreth saj.

Ndërhyrja “T’u japim formë ideve” që Wurmkos propozoi, ndërton hapësira komunikuese që përfshijnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke synuar të veprohet brenda një konteksti që lind nga një proces ndërveprimi midis Wurmkos dhe mundësive që pjesëmarrësit të zgjerohen e të vazhdojnë me konfigurimet e mundshme dhe madje të paplanifikuara të projektit, të cilat, pasi u besohen të tjerëve, zhvillojnë dhe pasurojnë kuptimin fillestar.

Kjo është ajo që ndodhi në Kamzë, ku ushtrimet e propozuara nga Wurmkos janë rezultat i një zgjedhjeje kolektive, që nisur nga ndjeshmëritë individuale, bëhen një hapësirë e përbashkët që merr parasysh edhe nevojat reale.

Siç shkruan Aurora në tekstin e shkurtër që shoqëron ushtrimin e saj:

“Retë kanë krijuar një flutur.

 Kushedi sa budallenj u dukemi atyre që kalojnë këtej.

 Ne kemi një lidhje të fortë me qiellin, tokën dhe erën.

 Në atë çast u shtriva për ta ndier këtë lidhje.”

                                                                                                                       Milano, shtator 2017

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s