koncept

_MG_58201+1=11  Courtesy Valentina Bonizzi

 

Arti i Procesit është një ekspozitë/laborator, i konceptuar nga Valentina Bonizzi për hapësirat e Qendrës për Hapje dhe Dialog, agjenci qeveritare në Kryeministri. I përbërë nga një seri Dialogësh me sipërmarrësit socialë në Shqipëri dhe disa ndërhyrje të artistëve bashkëkohorë që punojnë me praktika pjesëmarrëse e të bazuara në komunitet, Arti i Procesit synon të nxisë reflektim apo të rikonsiderojë kuptimin e hapjes dhe dialogut, duke përdorur art bashkëkohor, procese ligjbërëse dhe hulumtim. Ndërkohë që konsideron përgjegjësinë e institucioneve, po aq sa atë të shoqërisë civile në përgjithësi, Arti i Procesit synon të provojë nëse është i mundur dialogu i qëndrueshëm mes sipërmarrësve socialë dhe ligjvënësve, gjatë kohës që regjistron diskutimet mbi Ligjin 65 “Mbi Ndërmarrjet Sociale”, i cili është ende në proces të shkrimit të akteve nënligjore.

SI MUND TË PËRFSHIHET ARTI
DHE TË KONTRIBUOJË NË PUNËN E SIPËRMARRËSVE SOCIALË?

SI MUND TË OFROJË ARTI NJË MODEL APO THJESHT NJË HAPËSIRË REFLEKTIMI PËR ZHVILLIMIN E MIKROEKONOMIVE TË QËNDRUESHME SOCIALE?

Të prodhosh përgjegjësi shoqërore duke punuar brenda kuadrit të një ekonomie kapitaliste është një nga sfidat më të vështira të shoqërisë bashkëkohore. Shumë ide të rëndësishme janë formuluar në këtë fushë. Megjithatë, gjatë zbatimit, disa kritere themelore duhet të dalin gjithnjë në pah, për të shmangur dështimet. Ndërkohë që kushtet e prodhimit shpeshherë lihen në hije prej imazhit të plotë të rezultateve, duhen bërë përpjekje serioze për ta rikthyer atje ku nis procesi i ndërtimit të një imazhi. Me fjalë të tjera, proceset duhet të bëhen të dukshme, të shihen nga të gjithë. Duke marrë shkas në këmbëngulja e artit bashkëkohor mbi rëndësinë e procesit, në vend të rezultatit final, në këtë mënyrë mund të kërkojmë zgjerimin e këtyre propozimeve, nga sfera e artit, në fushën sociale.

Ajo që e përcakton një sipërmarrje sociale nuk është lloji i produkteve apo shërbimeve që prodhon, por qëllimet dhe metodologjia me anë të së cilës realizon prodhimin. Termi “sipërmarrje sociale” u përdor për herë të parë në Itali, në fund të viteve 1980, për të përcaktuar disa nisma që
i mungonin kushtetutës. Sot, sipërmarrjet sociale konsiderohen si nisma që prodhojnë mallra e shërbime publike dhe private, qëllimi i të cilave nuk është vetëm përfitimi i thjeshtë i atyre që i zotërojnë, por edhe prodhimi i një ndikimi të matshëm shoqëror.

Arti marrëdhënior (relacional) zhvillohet në fund të viteve 1980 e në fillim të viteve 1990. Siç shkruan Nicolas Bourriaud, arti marrëdhënior (relacional) përbëhet nga “…një grup praktikash artistike, të cilat marrin si pika teorike e praktike të nisjes gjithë marrëdhëniet njerëzore dhe kontekstin e tyre social, e jo një hapësirë të pavarur e private…”. Në këto praktika, artisti nuk rri më në qendër, por shndërrohet në aktivizues të proceseve kolektive gjithëpërfshirëse.

Si sipërmarrjet sociale, ashtu edhe arti marrëdhënior (relacional) u zhvilluan gjatë kohës së krizave ekonomike dhe politike që sollën ulje të fuqisë individuale (kryesisht në formën e fuqisë blerëse), e pasuar nga rritja e interesit për nisma kolektive.

Sot e kësaj dite, sipërmarrjet sociale nuk kanë një status ligjor në Shqipëri dhe hyrja në fuqi e zbatimi i Ligjit 65 “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë”, është në proces e sipër.

Qendra Rinore Arka në Shkodër, e cila punon në partneritet me komunitetin, biznesin dhe qeverinë, në përpjekje për të plotësuar nevojat e “Personit total” (‘Njeriut të Plotë): trupin, mendjen dhe shpirtin, nëpërmjet programeve edukative, mbështetëse, rikrijuese, kulturore, sportive dhe të mirëqenies. Ferma Ekosociale Ana e Malit për përfshirje sociale është projekti më i ri i organizatës, në bashkëpunim me komunën Ana e Malit. Ferma synon të rrisë numrin e personave të përfshirë në jetën sociale, kulturore dhe ekonomike të komunitetit. New York Tirana Bagels, furra e parë e stilit njujorkez në Tiranë si një biznes social me gratë kundër dhunës, grupime të pavarura të rinjsh me iniciativën për të gjallëruar kulturën në qytetin e tyre; dhe të ftuar të tjerë.

Projektet e prezantuara të artit janë:
Wurmkos është një laborator i arteve pamore, krijuar në vitin 1987 nga Pasquale Campanella në Sesto San Giovanni dhe lidh artin me problemet psikike, pa përcaktuar objektiva shpëtimi. Baubaus, nisi në vitin 2010 në Milano nga Patrizio Raso, si një veprimtari kërkimore e cila përdor artin për të punuar në zbulimin eksperimental të vetvetes, nëpërmjet vëzhgimit kolektiv dhe refleksionit. Stalker-Osservatorio Nomade (Romë), që në vitin 1995 propozon praktika kolektive të ecjes, për të perceptuar shndërrimin spontan dhe autonom. Muzeu Wunderkammer i Trentos e përcakton veten si një veprim artistik, si gjest politik, si aftësi akrobatike. Mbledh dhe katalogon vende, brenda hapësirës urbane, nga njerëzit që jetojnë dhe lëvizin në qytet.
Fondacioni Lac o Le Mon (Pulia, midis San Cesario-s dhe Cavallino-s) nisi në vitin 2015 nga artistët Emilio Fantin, Luigi Negro, Griancarlo Norese, Cesare Pietroiusti dhe Luigi Presicce. Fondacioni është një qendër eksperimentale për artet, bazuar në vetedukim. Il Fondo Speculativo di Provvidenza (FSP) është projekt artistik që gjeneron dhe realizon një praktikë kolektive politike nëpërmjet përdorimit të kapitalit monetar, duke e përfshirë audiencën drejtpërsëdrejti në proces.

Të ftuarit e konfirmuar do të jenë Franco Marzocchi, një nga themeluesit e Banca Etica-s dhe kuratorja Luisa Perlo, për të përfaqësuar a.titolo, organizatë e themeluar në vitin 2001 në Torino, me qëllim hetimin dhe promovimin e lidhjes mes artit, sferës publike dhe shoqërisë.

Me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

Për çdo informacion rreth programit,
ju lutem kontaktoni në:
info@cod.al me temën: artiiprocesit

Advertisements